E Hënë, 2 Nëntor 2026

Burg për vrasësin e gjytarit, në qeli pa afat edhe xhaxhai i autorit si dhe roja i sigurisë

Elvis Shkambi, autori i vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, do të qëndrojë në burg pa afat.

Në qeli do të jetë edhe xhaxhai i tij, Gjoni i dyshuar se e ka shtyrë nipin drejt krimit tronditës që i mori jetën gjykatësit.

E njëjta masë sigurie është dhënë po ashtu për rojen er sigurisë, Banush Koxhaj që akuzohet për shpërdorim detyre.

Brenda gjykatës, Elvis Shkambi kërkoi falje duke thënë se vrasjen e bëri si pasojë e tronditjes së rëndë psikike për shkak të kalvarit të gjatë të gjyqeve për pronësinë.

Elvis Shkambi deklaroi se kishte mundësi të largohej, por dorëzoi armën dhe qëndroi.

Në pamjet e para të momentit pas vrasjes, ai dallohet mjaft i qetë dhe me duar në xhepa brenda oborrit të Gjykatës së Apelit.

“Ka kërkuar falje publike për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja për dy të plagosurit. Është goditur një gjyqtar, është i pajustifikueshëm, gjyqtari dhe prokurori janë në zbatim të ligjit nuk mund të vriten dhe unë besoj se kjo kambanë alarmi do jetë edhe për sistemin e drejtësisë, që s’duhet të arrijnë në zvarritje të tejskajshme”, tha avokati Kujtim Ibraj.

Ndërsa roja Banush Koxhaj, shpjegoi në seancë se kishte qenë i sëmurë dhe se kishte kërkuar leje per tu larguar. Ai tha se vuan nga diabeti dhe për pasojë nuk shikon mirë.

Elvis Shkambi akuzohet për vrasje të funksionarëve publikë, vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër palëve ndërgjyqëse kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, si dhe armëmbajtje pa leje.

Me këto akuza ai rrezikon dënimin e përjetshëm.

Xhaxhai i tij akuzohet për nxitje të nipit drejt vrasjes dhe bashkëpunim në vrasjen e mbetur në tentativë të Rakip dhe Ervis Kurtajt. Organi i akuzës ka krijuar bindjen se Gjon Shkambi ka qenë në dijeni të plotë të vrasjes së gjytarit Kalaja, sepse nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të ndaluar atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›