E Diel, 1 Nëntor 2026

Burg trafikantit të kanabisit, 61-vjeçarit iu gjet hashash, kokainë dhe armë

61-vjeçari që u kap me vaj kanabisi në vlerën e gjysmë milionë eurove do të qëndrojë në burg pa afat.

Vendimi u dha nga Gjykata e kryeqytetit, ndërsa Shkëlqim Krrashi brenda seancës me dyer të mbyllura mohoi përfshirjen e tij në veprimtarinë kriminale.

Ai deklaroi se sasia e drogës i kishte mbetur në një makinë në pronësi të tij prej disa vitesh, kurse armën e gjahut e kishte me leje.

Megjithatë Krrashi që dyshohet se kishte përshtatur një shtëpi në Yzberisht për përpunim droge tashmë do të qëndrojë i izoluar.

Gjatë kontrollit në laboratorin e drogës, agjentët e Antidrogës gjetën e sekuestruan rreth 17 kilogramë kanabis në formën e çokollatës dhe 22.5 litra vaj kanabisi, të dyja me vlerë totale rreth 500 mijë euro.

Jo vetëm kaq, uniformat blu i gjetën edhe një sasi kokaine, 1 pistoletë dhe 1 armë gjahu. Shkëlqim Krrashi prej disa muajsh ishte në përgjim dhe në vëzhgimin e policisë, pasi agjentët kishin të dhëna për aktivitetin kriminal.

61-vjeçari me origjinë nga Bulqiza, sipas burimeve kanabisin dhe vajin e tij e siguronte në Maqedoninë e Veriut. Kokainën ai e shiste në doza të vogla, ndërsa hashashin dhe vajin e tregtonte me shumicë. Krashi nuk rezulton me rekorde të mëparshme kriminale, megjithatë hetimet do të hedhin dritë nëse pas këtij aktiviteti ka apo jo persona të tjerë të përfshirë./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›