Bushi: Angazhim i pandërprerë nga ajri dhe toka për izolimin e zjarreve

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Prej dy ditësh bashkia e Krujës është përballur me një situatë të pazakontë, me shumë vatra zjarri të shfaqura në zona të ndryshme të territorit.
Kryetari bashkisë Krujë, Artur Bushi tha se “vatrat e zjarrit janë konstatuar në Gramëz, Derven, Borizanë, Bilaj, Thumanë, Tapizë, Kodër-Bacung dhe Luz, duke krijuar një situatë të paprecedentë për territorin tonë”.
Sektori i Zjarrfikëses dhe Emergjencave Civile ka qenë dhe vijon të jetë në gatishmëri të plotë, me angazhim të pandërprerë në terren për përballimin dhe izolimin e vatrave.
Kryebashkiaku Bushi i bën thirrje të gjithë banorëve të bashkisë Krujë që të tregojnë maksimalisht kujdes dhe përgjegjshmëri.
“Pastrimi i tokave përmes përdorimit të zjarrit është i papranueshëm dhe i rrezikshëm, pasi mund të shkaktojë përhapjen e pakontrolluar të flakëve dhe të rrezikojë banesat, pronat, mjedisin dhe jetën e njerëzve”, tha Bushi.
Sipas tij, kjo praktikë mund të sjellë përgjegjësi ligjore për personat që e shkaktojnë zjarrin.
1 nga 7
/k.s/a.f/r.e/