E Martë, 3 Nëntor 2026

Buxheti 2025: Rialokohen 11.8 miliardë lekë, 3 miliardë lekë për garanci sovrane për bujqësinë

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e fundit Aktin Normativ për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025, me synimin për të rritur efikasitetin në përdorimin e fondeve publike dhe për të përmbushur objektivat zhvillimore të vendit.

Sipas Ministrisë së Financave, rishikimi i buxhetit vjen pas analizës së performancës së projekteve për 5-mujorin e parë të vitit dhe vlerësimit të pritshmërive për realizimin e mëtejshëm të tyre.

Ndër ndërhyrjet kryesore në këtë Akt Normativ është miratimi i skemës së re të Garancisë Sovrane për sektorin e bujqësisë, me një vlerë prej rreth 3 miliardë lekësh.

Kjo garanci synon të lehtësojë aksesin në financë, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në bujqësi, duke krijuar kushte më të favorshme për rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe rritjen e konkurrueshmërisë në treg.

Ministria e Financave thekson se kjo masë është pjesë e përpjekjeve për të mbështetur sektorët prioritar të ekonomisë dhe për të nxitur investimet publike me ndikim të qëndrueshëm në rritjen ekonomike.

Në total, Akti Normativ parashikon një rialokim fondesh në vlerën e rreth 11.8 miliardë lekëve, përfshirë 5.6 miliardë lekë të kursimeve të identifikuara që do të përdoren për forcimin e sigurisë digjitale dhe përmirësimin e infrastrukturës kombëtare.

Po ashtu, janë bërë rialokime për përmirësimin e teknologjisë së informacionit në administratën publike, në funksion të rritjes së efikasitetit të shërbimeve.

Ministria e Financave konfirmon se pavarësisht ndryshimeve buxhetore, deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar në nivelin 68.1 miliardë lekë, si dhe nuk ka ndikim në nivelin e borxhit publik.

Financat theksojnë angazhimin për të ruajtur konsolidimin fiskal, qëndrueshmërinë e financave publike dhe stabilitetin makroekonomik të vendit./a.gj/ /a.g/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›