E Martë, 3 Nëntor 2026

INSTAT: Mbi 132 mijë ndërmarrje aktive në fund të vitit 2024

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ Numri i ndërmarrjeve ekonomike aktive në Shqipëri arriti 132172 në fund të vitit 2024, duke shënuar një rritje të moderuar prej 1,4% krahasuar me vitin 2023, kur numri i tyre ishte 130338.

Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT, në raportin “Regjistri i Biznesit”, gjatë vitit 2024, janë regjistruar gjithsej 15970 ndërmarrje të reja, një rritje e ndjeshme krahasuar me 13636 që ishin regjistruar gjatë vitit 2023.

Ky trend i rritjes së numrit të ndërmarrjeve tregon një forcim të aktivitetit ekonomik, duke krijuar mundësi të reja për punësim dhe zhvillim të kapaciteteve prodhuese.

Një tipar tjetër i të dhënave është dominimi i ndërmarrjeve që prodhojnë shërbime, të cilat përbëjnë 86% të totalit të ndërmarrjeve active, duke pasqyruar një tendencën e orientimit të ekonomisë shqiptare drejt sektorëve të shërbimeve.

Ndërkaq, ndërmarrjet që operojnë në prodhim janë më pak të pranishme, me vetëm 14% të ndërmarrjeve që operojnë në sektorin e industrisë dhe prodhimit.

Ndërmarrjet e mëdha, ato me më shumë se 50 të punësuar, përfaqësojnë vetëm 1,5% të totalit të ndërmarrjeve aktive.

Referuar të dhënave, 5,3% e totalit ndërmarrje të huaja dhe të përbashkëta, ku 56,6% e tyre kanë origjinë nga Italia, 8,3% nga Kosova dhe 6,5% nga Turqia.

Në vitin 2024, 31,4% e ndërmarrjeve janë drejtuar nga gra, një rritje e vogël, krahasuar me 31,2% në vitin 2023.

Ky trend tregon përmirësimin e përfshirjes së grave në sektorin e biznesit dhe në drejtimin e ndërmarrjeve, një hap i rëndësishëm për barazinë gjinore në tregun e punës. /a.gj/ /a.g/

1 nga 4

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›