Bylykbashi: Ndërtimi, sektori kryesor i pastrimit të parave

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi foli sot, gjatë seancës plenare në Kuvend, lidhur me projektligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.
Bylykbashi tha se qeveria e ka detyrim kushtetues dhe rregullator që ta trajtojë me seriozitet këto çështje, ndërsa u ndal te sektori i ndërtimit, duke theksuar se opozita nuk e përbalt pa arsye këtë sektor.
“Nuk ka njeri që nuk e ka kuptuar prej vitesh që ky është një nga sektorët kryesorë të pastrimit të parave të krimit të organizuar dhe të drogës”, u shpreh ai.
Ai solli në vëmendje edhe raste të mëparshme të përfshirjes së grupeve kriminale ndërkombëtare. “Para disa vitesh doli një çështje që tregonte se Ndrangheta italiane kishte futur këmbët në Shqipëri. Në konceptin e tyre ishte të mbanin profil të ulët, të mos dukeshin. Në Shqipëri shfaqeshin me një dyqan të vogël, por lidhjet ishin shumë më të mëdha me shtetin apo përtej tij”, deklaroi Bylykbashi.
Sipas tij, në biseda të zbardhura përmenden individë që kanë përfituar leje ndërtimi për kulla të larta në Tiranë, ndërkohë që nuk dispononin burime financiare të ligjshme. “Bëhet fjalë për pastrim të parave të mafias në sektorin e ndërtimit, në mënyrë specifike te kullat që kanë mbushur sot Tiranën”, tha Bylykbashi.
Deputeti shtoi se fenomeni lidhet me struktura të organizuara kriminale në disa qytete të vendit. “Në Durrës është karteli më i madh i kokainës në rajon. Në Elbasan është një kartel i fuqishëm i heroinës”, u shpreh ai.
Duke iu referuar tregut të pasurive të paluajtshme, Bylykbashi theksoi se në Tiranë ka rreth 50 mijë apartamente bosh. “Kush i blen këto me 3-4 mijë euro metri katror? Çiftet e reja nuk i kanë mundësitë. Në hyrjet e këtyre kullave gjen edhe roje sigurie speciale, sepse ka apartamente plot me euro të drogës”, deklaroi ai, duke shtuar se këto janë çështje që duhet të hetohen nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ai përmendi edhe projekte konkrete ndërtimi, si ai i stadiumit të Durrësit, duke treguar se pas tyre qëndrojnë interesa për ndërtimin e kullave të larta. “Nëse ndiqen paratë, do të gjendet mafia aty”, tha Bylykbashi, duke cituar shprehjen e Giovanni Falcones.
Në lidhje me projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ai u shpreh se ndonëse është një rekomandim ndërkombëtar, situata aktuale e lidhur me krimin e organizuar dhe riciklimin e parave e bën të vështirë zbatimin efektiv.
Bylykbashi ngriti gjithashtu shqetësimin për shpopullimin e vendit. “Është bërë qeverisje e shpopullimit në masë. Nga 4,7 milionë shqiptarë në regjistrin e gjendjes civile, censi tregon vetëm 2,4 milionë. Gjysma e këtij shpopullimi ka ndodhur në 12 vitet e fundit,” deklaroi ai.
Në përfundim, ai theksoi se ndërtimi i kullave nuk lidhet me remitancat e emigrantëve. “Këtu nuk është histori kullash me para emigrantësh. Është histori riciklimi kartelesh dhe kjo është një lojë shumë e rëndë”, përfundoi deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.
/e.i/a.f/r.e/