E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Ndryshimet në ligjin kundër pastrimit të parave forcojnë transparencën financiare

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot në Kuvend se ndryshimet në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit” përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të integritetit të sistemit financiar shqiptar dhe rritjes së transparencës.

Gjatë fjalës në seancën e sotme plenare, Malaj u shpreh se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Evropian, ka konsoliduar kapacitetet institucionale dhe ka përmirësuar standardet për parandalimin e aktiviteteve financiare të paligjshme.

Ai përmendi se vendi ka bërë progres të ndjeshëm në raport me rekomandimet ndërkombëtare.

Sipas raporteve të FATF, MONEYVAL dhe Komisionit Evropian për vitin 2025, tha Malaj, Shqipëria ka adresuar mungesat strategjike, ka rritur transparencën mbi pronësinë përfituese dhe ka forcuar hetimet financiare dhe sekuestrimin e pasurive nga krimi i organizuar.

“Indeksi AML i Bazelit e vlerëson vendin me risk të ulët për pastrimin e parave, duke e renditur Shqipërinë më mirë se disa vende të BE-së”, u shpreh ai.

Ministri Malaj theksoi se projektligji përfshin përkufizimin e ri të “financimit të armëve të dëmtimit në masë”, forcon qasjen e bazuar në rrezik, rrit kapacitetet parandaluese të subjekteve raportuese dhe formalizon procesin e Vlerësimit Kombëtar të Rrezikut.

“Një nga shtyllat më të rëndësishme të këtij projektligji është edhe formalizimi i procesit të Vlerësimit Kombëtar të Rrezikut. Përmes propozimeve ligjore tashmë përcaktohet qartë detyrimi për hartimin periodik të këtij vlerësimi dhe të planeve përkatëse të veprimit. Ky proces garanton një mekanizëm të qëndrueshëm, të koordinuar dhe të bazuar në të dhëna që do të mblidhen nga të gjitha institucionet, pjesë e sistemit parandalues”, tha ministri.

Për organizatat jo fitimprurëse, vijoi Malaj, masat e vigjilencës do të jenë të proporcioneve të rrezikut, duke reduktuar barrën administrative.

“Ky projektligj përfaqëson një hap të domosdoshëm për konsolidimin e integritetit të sistemit financiar shqiptar, rritjen e transparencës dhe përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare”, tha Malaj.

Ky ligj synon gjithashtu të harmonizojë legjislacionin shqiptar me standardet më të fundit ndërkombëtare, duke përfshirë aspektet që lidhen me financimin e armëve kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore, si dhe për të garantuar që flukset financiare të jenë të gjurmueshme dhe të ligjshme.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›