E Diel, 1 Nëntor 2026

CEREMONIA/ Pas Netanyahut, Rama pritet edhe nga kryeparlamentari i Izraelit

Kryeministri Edi Rama u mikprit sot, gjatë vizitës së tij në Izrael, nga Kryetari i Knessetit (Parlamentit të Izraelit) Amir Ohana në Knesset Plaza me një ceremoni të posaçme, ku u luajtën himnet kombëtare të vendeve dhe delegacionet u përshëndetën nga rojet e nderit.

Më pas, kryeministri Edi Rama, i cili shoqërohej nga bashkëshortja e tij Linda Rama, bëri homazhe në Monumentin e ushtarëve të rënë dhe në Monumentin e viktimave të terrorit, dy monumente me vlera dhe domethënie të veçantë për popullin e Izraelit,  si dhe la shënimin e tij në Librin e përshtypjeve në Hollin Shagal.

“Nuk mund të mendoj një nder më të madh dhe një bekim më domethënës sesa të lë këtë shënim në këtë faqe, si një mysafir i veçantë në këtë shtëpi legjendare. Faleminderit!”, shkroi Rama.

Ceremonia i parapriu takimit të Kryeministrit Rama me Kryetarin e Knessetit Amir Ohana, që më pas do të vijojë me adresimin e Kryeministrit Rama në Knesset, sipas një protokolli të posaçëm që Knesseti u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi Presidentit të SHBA, Donald J. Trump.

LEXO EDHE: “Nuk u mblodhëm kurrë në mitingje kundër Izraelit”, Rama takon Netanjahun: Do mbështesim planin për Gazën

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë në Jeruzalem të Izraelit, e cila ka nisur prej 25 janarit dhe do të mbyllet ditën e martë, më 27 janar. Vizita zhvillohet në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.

Gjatë kësaj vizite, kreu i qeverisë shoqërohet edhe nga bashkëshortja e tij Linda Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›