E Hënë, 2 Nëntor 2026

Cake: Ftesa në Kombëtare ishte surprizë

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Shqipëria do përballet nesër në një miqësore me Jordaninë në stadiumin  “Air Albania”, në ndeshjen që fillon në orën 19.00.

Lojtari i Kombëtares, Klisman Cake deklaroi sot në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Jordaninë se, ftesa në Kombëtare ishte surprizë.

“Grupi është shumë i mirë. E kam gjetur shumë të bashkuar, si në rrallë vende është. Dua t’i falënderoj për mikpritjen”, tha ai.

Cake u shpreh se nuk kishte folur më parë me trajnerin Silvinjo.

“Nuk kisha folur më parë me trajnerin, fola pasi erdha në hotel”, u shpreh.

I pyetur nëse nesër do të bëjë debutimin me Kombëtaren, Cake tha se, “askush nuk e jep këtë premtim. Ne gjithmonë jemi gati për Kombëtaren. Askush nuk premton gjë”.

“Nuk e kisha menduar gjatë. Kur më erdhi, ishte surprizë. Jam shumë i lumtur që jam këtu. Gjithë jetën kuqezi. Tek Shkëndija janë gëzuar shumë. Duke ditur sa shumë e duan Kombëtaren dhe sa patriotë janë. Më uruan të fitoj lojën me Serbinë, që ishte kryesore”, tha ai për ftesën në Kombëtare.

Lojtari i Shkëndijës së Tetovës, u shpreh se, “tek Shkëndija më japin emocion ngjyrat kuqezi, por Kombëtarja ndjesi tjetër. Nuk krahasohet me asnjë klub”.

Ai gjithashtu ftoi të gjithë tifozët të jenë nesër në stadium.

“Nesër ftoj të gjithë tifozët, si kanë dalë nëpër rrugë, i ftoj të vijnë në stadium dhe ta festojmë së bashku atë fitore që arritëm”, tha Cake.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›