Çako: Situata nga reshjet nën kontroll, niveli i Vjosës në rënie

TIRANË, 22 nëntor /ATSH/ Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, nga Ura e Mifolit në Novoselë të Vlorës, tha se situata është nën kontroll dhe të gjitha institucionet dhe strukturat janë të angazhuara, sipas prefekturave dhe bashkive, për përballimin e vështirësive të shkaktuara nga reshjet intensive që kanë përfshirë vendin ditët e fundit.
Sipas Çakos, në lumin Vjosë niveli i ujit ka nisur të bjerë prej disa orësh, ndërsa prurjet mbeten të menaxhueshme.
“Momentalisht jemi në Urën e Mifolit, ku theksojmë se gati 12 orësh ka filluar rënia e nivelit të Vjosës. Është larguar risku i shtuar, dhe presim që të hyjë totalisht në shtratin e vet”, tha ai.
Çako bëri të ditur se, se situata ka përmirësime edhe në zonat e Përmetit dhe Memaliajt, ndërsa në Lezhë argjinatura e lagunës është rehabilituar plotësisht. Në Sarandë, në zonën e Çukës, është ndërhyrë paraprakisht, ndërsa pritet largimi i ujit për ndërhyrje të mëtejshme.
“Është larguar risku i shtuar, dhe presim që të hyjë totalisht në shtratin e vet pasi edhe nivelet në Përmet dhe Memaliaj kanë rënë ndjeshëm nga dje, ku intensiteti i prurjeve ishte deri në maksimale. Nuk kemi aktualisht probleme me banorët, por prezencë uji. Pas fazës menaxheriale të emergjencës, fillojmë me rehabilitimin. E kemi filluar në Sarandë, Lezhë dhe vende të tjera ku ka pasur nevojë”, deklaroi ai.
Ai njoftoi gjithashtu se në vijim priten reshje më pak intensive për shkak të uljes së temperaturave, gjë që do të lehtësojë verifikimin e situatës dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.
/e.xh/a.f//