Cara: Mbingarkesë në hidrovoret e Drojës dhe Shëllinzës nga çarja e argjinaturës së lumit Drojë

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Çarja e argjinaturës së lumit Drojë ka sjellë mbingarkesë të madhe në hidrovoret e Drojës dhe Shëllinzës, si dhe ka rritur nivelin e ujit në tokat bujqësore në Adriatik, Fushë Mamurras dhe Fushë Kuqe.
Kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara tha se të dy hidrovoret kanë punuar dhe vijojnë të punojnë në kapacitet të plotë, por sasia e madhe e prurjeve të Drojës ka shkaktuar fryrjen e mëtejshme të kanaleve kulluese dhe mos tërheqjen në kohë të ujit nga tokat.
Sipas Carës, deri më tani janë në total 8 familje të evakuara.
Cara deklaroi se janë marrë masa për akomodimin e banorëve pasi prioritet absolut është mbrojtja e jetës së tyre.
“Në fshatin Adriatik, ku situata është e rënduar, u kemi bërë thirrje për evakuim banorëve që kanë prezencë të madhe uji rreth shtëpive, por nuk kanë pranuar të largohen nga banesat”, tha ajo.
Ndërkohë, informoi Cara, gjatë gjithë ditës është punuar me mjete të rënda për hapjen e pikave kritike ku ka pasur bllokime që nuk lejojnë tërheqjen e ujit. /j.p/
1 nga 9