Dhjetëra banorë të përmbytur protestojnë në Durrës: Shpallni gjendjen e emergjencës

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Dhjetëra qytetarë të prekur nga përmbytjet kanë dalë sot në rrugët e Durrësit për të kërkuar përgjegjësi nga autoritetet dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në qytet.
Me thirrjet “Shpallni gjendjen e jashtëzakonshme”, protestuesit nisën marshimin nga rrethrrotullimi pranë burgut drejt Bashkisë së Durrësit.
Sipas qytetarëve, situata e rëndë e krijuar nga përmbytjet nuk është thjesht një fatkeqësi natyrore, por pasojë e keqmenaxhimit dhe abuzimeve me fondet publike gjatë viteve.
Protestuesit u mblodhën në sheshin kryesor të qytetit dhe tentuan të hynin në ambientet e bashkisë, por u ndaluan nga një kordon policor. Mes protestuesve që u përpoqën të hyjnë me forcë në bashki ishin edhe deputetët e PD, Oerd Bylykbashi dhe Arjan Ndoja.
Në protesta morën pjesë banorë të zonës së ish-Kënetës dhe të tjera zona të përmbytura të Durrësit, të cilët vijojnë të përballen me pasojat në banesa, biznese dhe toka bujqësore.
Situata nga reshjet intensive në Durrës mbetet kritike, ndërsa janë aktivizuar urdhra evakuuimi në disa zona.
/gj.m/j.p/