E Diel, 1 Nëntor 2026

Cara: Ulet niveli i ujit në fshatrat Adriatik dhe Fushë-Kuqe

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Shqalsi Cara bëri të ditur sot për ATSH-në se pas ndërhyrjeve për riparimin e argjinaturës së Drojës dhe aktivizimit të kapacitetit të plotë të hidrovoreve, është vënë re një rënie e nivelit të ujit në toka bujqësore dhe kanale kulluese në fshatrat Adriatik dhe Fushë-Kuqe.

“Punimet vijojnë për heqjen e inerteve dhe mbetjeve të grumbulluara në grykëderdhjet e përrenjve dhe kanaleve, si dhe për sistemimin e rrugëve rurale në Fushë-Gjorm dhe Skuraj”, u shpreh ajo.

Cara informoi se gjatë ditës së sotme, grupet e punës janë shpërndarë në terren për evidentimin e dëmeve dhe përgatitjen e dokumentacionit për dëmshpërblim, proces që do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.

Megjithatë, shprehet Cara, situata mbetet e vështirë, pasi sipas njoftimeve, gjatë natës dhe ditës së shtunë priten reshje shiu me intensitet të lartë, të cilat mund të shkaktojnë përmbytje të shpejta.

Cara u bëri thirrje qytetarëve, veçanërisht atyre në zonat me rrezik të lartë, që të shmangin çdo lëvizje të panevojshme dhe për çdo nevojë emergjente të kontaktojnë me shtabet e emergjencave civile.

1 nga 20

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›