Qytetarët e prekur nga përmbytjet protestojnë sërish në Durrës

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Dhjetëra qytetarë të prekur nga përmbytjet kanë dalë sot sërish në protestë përpara bashkisë së Durrësit.
Me pankarta dhe megafonë në duar ata kanë kërkuar që të merren masa konkrete për të përmirësuar situatën në qytetin bregdetar.
Qytetarët kanë shprehur revoltim ndaj institucioneve pas përmbytjeve masive që kanë goditur zonat urbane dhe periferike të qytetit këtë javë. Reshjet masive të këtyre ditëve kanë shkaktuar dëme në banesa, toka bujqësore dhe infrastrukturë, ndërsa qytetarët në protestë përsëritën sot thirrjet për llogaridhënie dhe zgjidhje të situatës.
Në tubimin e ditës së sotme, të pranishëm ishin edhe eksponentë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”.
Gjithashtu, në protestë morën pjesë banorë të zonës së ish-Kënetës dhe të tjera zona të përmbytura të Durrësit, të cilët vijojnë të përballen me pasojat në banesa, biznese dhe toka bujqësore.
Qytetarët kërkuan veprime më konkrete dhe të menjëhershme nga institucionet për të parandaluar dëmet në banesa dhe biznese.
Protestuesit kërkuan vlerësimin e saktë dhe të plotë të dëmeve që u janë shkaktuar nga përmbytjet dhe menjëherë pas këtij procesi, shpërndarjen e dëmshpërblimit të merituar. Shumë prej tyre pretenduan se nuk kanë marrë ende dëmshpërblimet e humbjeve të shkaktuara nga moti i keq vitin e kaluar, por edhe më parë.
Ditën e djeshme gjatë qëndrimit para bashkisë Durrës, ka pasur edhe tensione me forcat e policisë, ndërsa qytetarët tentuan të hyjnë në ndërtesë për të kërkuar përgjegjësi direkte nga zyrtarët e këtij institucioni.
/e.i/r.e/