Çela: Krimi po sofistikohet, nevojiten strategji të reja për ta luftuar

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela tha sot se institucionet shqiptare të zbatimit të ligjit duhet të ndryshojnë strategji në luftën kundër krimit të organizuar.
I pranishëm në çeljen e punimeve të Konferencës së 42-të të Shoqatës së ish-Studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së, FBINAA European Chapter, Çela tha se krimi i organizuar, kombëtar dhe transnacional, ka sofistikuar format e pastrimit të parave, çka kërkon një strategji të re për t’u përballur me këto fenomene.
“Sfidat janë bërë më komplekse se më përpara. Bota po ndryshon shpejt dhe kështu edhe krimi. Duhet të ndryshojmë strategjitë tona në luftën kundër krimit. Jetojmë në një botë ku tashmë pastrimi i parave bëhet në mënyra më të sofistikuara, ndërsa kemi edhe përdorimin e kriptomonedhave.
Duhet të jemi më afër me njëri-tjetrin, që të shkëmbejmë eksperienca. Kërkohet një strategji e qartë për të luftuar krimin transnacional, me një qasje që përfshin kapacitete teknologjike dhe njerëzore”, tha ai.
Çela tha se “duhet të krijojmë ekipe të përbashkëta hetimi. Bashkëpunimi ndërkombëtar është një prioritet për Shqipërinë. Letërporositë që ne bëjmë janë dy herë më të larta se ato që na bëjnë partnerët tanë. Ne kemi mundësi për të rritur kapacitetet tona dhe kjo do ta bëjë më të lehtë për të përballuar vështirësitë. Duhet të bashkëpunojmë për të luftuar krimin e organizuar”.
Në konferencën e 42-të të Shoqatës së ish-Studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së, FBINAA European Chapter marrin pjesë 235 përfaqësues të FBI-së dhe agjencive ligjzbatuese nga Evropa, SHBA e më gjerë.
/a.f/r.e/