E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Celibashi: Parësore për ne, siguria në procesin e votimit nga jashtë

TIRANË, 12 maj/ATSH-Maela Marini/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi bëri të ditur se deri tani është vlerësuar dokumentacioni zgjedhor i 13 946 zarfeve të diasporës nga 194 889 në total.

Në një konferencë për mediet, Celibashi u shpreh se është duke marrë shumë kohë procesi i përpunimit të dokumentacionit të votuesve nga jashtë.

“Dje kemi humbur gati gjysmën e kohës në dispozicion për të numëruar dhe vlerësuar fletë votimi, për shkak të diskutimit mbi votat e Greqisë”, tha Celibashi.

Sipas tij, procesi eci ngadalë edhe ngaqë ishte eksperiencë e re.

“Procesi i numërimit na ballafaqoi me vendimmarrje të caktuara. Është dashur që në moment të vlerësojmë si do të duhet të vendosim për raste të ndryshme me dokumentacionet. Ritmet janë të ulëta për shkak të performancës, jo mungesës së dëshirës të grupeve të numërimit. Janë të lodhur dukshëm, ka prej tyre që janë 48 orë pothuajse pa ndalim dhe ndaj meriton të merret në konsideratë thirrja për partitë politike që të ndërtojnë një sistem ndryshimi të personave”, tha Celibashi.

Ndërkohë Celibashi theksoi se janë konsideruar të gjithë elementët që lidhen me këtë proces, por kemi parë parësore sigurinë në proces.

“Ndaj edhe koha që merret është gati trefish. Ka trefish dokumentacion. Pas zgjedhjeve do të duhet të diskutojmë për shumë aspekte të procesit”, tha ai.

I pyetur se si do të veprohet me numërimin e votave nga Greqia, Celibashi theksoi se votat e diasporës nga Greqia do t’i nënshtrohen votimit dhe numërimit, sikurse edhe votat e ardhura nga shtetet e tjera.

“Do të shqyrtohen pretendimet e kujtdo. Ligji parashikon disa etapa, pas bllokimit nga numëruesit dhe komisionerët, merr vendim Komisioneri, më pas çështja kalon në KAS dhe më pas në Kolegjin Zgjedhor. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është final”, theksoi Celibashi.

Celibashi sqaroi edhe njëherë se nuk ka asnjë vendim nëse do numërohen apo jo votat e Greqisë. Sipas Celibashit, vendimi i marrë prej tij një ditë më parë ka ndihmuar procesin, pasi ishte në kushtet kur përbërja e grupeve të numërimit dhe komisionerëve është e balancuar.

“Vendimi erdhi në funksion të administrimit të procesit, kur ky proces bllokohet nga numëruesit dhe komisionerët. Do të kishim mbetur në debatin midis numëruesve dhe komisionerëve. Pra nuk ka gjykim apo vendim për votat nga Greqia”, theksoi ai. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›