Celibashi: Raporti paraprak i OSBE/ODIHR vlerëson pozitivisht punën e KQZ-së

TIRANË, 12 maj/ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot se raporti paraprak i misionit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit vlerësoi pozitivisht punën e KQZ.
Në një konferencë për shtyp nga Parku Olimpik Tiranë ku po numërohen votat e zgjedhësve nga jashtë, Celibashi tha se raporti vlerëson si shumë të mirë procesin e votimit nga jashtë.
“Raporti bën pasqyrim real të asaj çfarë ka ndodhur deri në momentin e daljes së raportit. Dhe raporti ka vlerësim pozitiv për punën, performancën dhe transparencën e KQZ, veçanërisht procesin e votimit nga jashtë”, deklaroi ai.
Celibashi vuri në dukje se në raport janë evidentuar dhe problematika për partitë politike më së shumti, që sipas tij, meritojnë të adresohen në Kuvendin e Shqipërisë pas këtyre zgjedhjeve.
Problematikat e konstatuara, vijoi Celibashi, nuk e zhbëjnë gjykimin për një proces zgjedhor të zhvilluar sipas Kodit Zgjedhor. /j.p/r.e/