Celibashi: Sulme kibernetike të sofistikuara ndaj KQZ, i referuam për hetim

TIRANË, 22 maj /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi bëri sot me dije se platformat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë gjendur nën sulme kibernetike.
Në një konferencë për mediet, teksa foli për procesin e votimit nga jashtë Celibashi tha se “mund të bëj publike sot që platformat e KQZ-së duke filluar nga ajo e regjistrimit të votuesve nga jashtë, janë gjendur nën sulme kibernetike. Kemi komunikuar me institucionet përkatëse si ato të sigurisë kibernetike po ashtu dhe me ato që lidhen me ndjekje ligjore të këtyre rasteve, sa herë që janë evidentuar”.
Celibashi theksoi se “na të dhënat që kemi një pjesë e madhe e këtyre sulmeve nuk kanë qenë sulme diletantësh, por të organizuara dhe të sofistikuara dhe jo rastësore”.
Sipas Celibashi sulmet kanë ndodhur “të gjitha nga jashtë”.
“Kanë qenë të krahasueshme me sulmet që kanë patur edhe vend të tjera për situata të ngjashme në vend si Franca, Gjermania apo edhe Estonia”, tha Celibashi.
Kreu i KQZ shtoi se sulmet kanë arritur t’i zmbrapsin.
“Ja kemi dalë të kemi zero implikim në sistemet tona. Ja kemi dalë që t’i zmbrapsim të gjitha këto sulme, qoftë në rastet e PER që ka ofruar siguri të plotë, por edhe aplikacionet e tjera të KQZ, përfshirë dhe faqen, modulin e transmetimit të rezultateve. Informacioni ka qenë i pandërprerë, nuk ka patur raste të rënies së faqes apo aplikacione të tjera që përdor KQZ”, deklaroi ai.
/a.f/