RUMANI – Gjykata e Lartë hedh poshtë kërkesën e kandidatit të ekstremit të djathtë për të anuluar zgjedhjet

BUKURESHT, 22 maj /ATSH/- Një gjykatë e lartë rumune vërtetoi sot rezultatet e ripërsëritjes së zgjedhjeve presidenciale të Rumanisë, menjëherë pasi hodhi poshtë kërkesën për anulimin e rezultateve nga kandidati i së djathtës ekstreme, i cili humbi bindshëm garën ndaj kundërshtarit të tij pro-Bashkimit Evropian, sipas AP.
Pas shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese e Rumanisë hodhi poshtë unanimisht kërkesën për anulim, të paraqitur të martën nga kandidati George Simion – dhe lideri Aleancës për Unitetin e Rumunëve, partia e dytë më e madhe në të dy dhomat e parlamentit që nga viti 2024 – në të cilën ai pretendonte se ndërhyrja e huaj dhe manipulimi i koordinuar kishin ndikuar në votim.
Gjykata, më pas vërtetoi rezultatet dhe mbajti një ceremoni të shkurtër ku mori pjesë presidenti i zgjedhur, Nicusor Dan, kryetari i bashkisë së Bukureshtit, i cili fitoi balotazhin e tensionuar, duke mposhtur Simion me 53,6% të votave, një diferencë prej më shumë se 829,000 votash.
Simion, udhëheqësi 38-vjeçar i Aleancës së djathtë ekstreme për Unitetin e Rumunëve, e kishte pranuar humbjen pasi humbi në balotazh ndaj Dan, por më vonë i kontestoi rezultatet. Gjykata tha se vendimi i saj ishte përfundimtar.
Në kërkesën e tij për të anuluar zgjedhjet, Simion pretendoi se kishte prova të pakundërshtueshme se – Franca, Moldavia dhe “aktorë të tjerë” kishin ndërhyrë në votim, por nuk paraqiti asnjë provë. //a.i/