E Martë, 3 Nëntor 2026

Celibashi: Të nisë sa më parë reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Integriteti i zgjedhjeve dhe çështjet kryesore ku duhet të fokusohet reforma e ardhshme zgjedhore ishin në fokus të tryezës së rrumbullakët me temë “Përtej monitorimit: Drejt një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse për integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri” të organizuar sot në Tiranë. Të pranishëm në këtë takim ishin Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ambasadori britanik në Shqipëri, Nick Abbott, kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca,  zv.drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, si dhe përfaqësues të partive politike dhe të shoqërisë civile në vend. Në fjalën e tij, Celibashi nënvizoi gjetjet dhe rekomandimet paraprake të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit 2025, ndërsa theksoi se, pavarësisht përmirësimeve të realizuara deri tani, ka ende shumë punë për të bërë. Apo apeloi për nisjen sa më parë të një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe jo të njëanshme. “Gjetjet nxisin nevojën për një reformë të thelluar ligjore dhe institucionale, me qëllim sigurimin e integritetit të plotë të zgjedhjeve. Me konstituimin e ri të Kuvendit në shtator, duhet të nisë menjëherë puna për të adresuar në mënyrë të duhur të gjitha problematikat e evidentuara në procesin zgjedhor. Duhet të vlerësojmë se çfarë secili prej aktorëve politikë apo institucionalë duhet të bëjë ndryshe ose më mirë, në kuadër të përgjegjësive që ka për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, u shpreh ai. Celibashi theksoi po ashtu se reforma duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të mos kufizohet vetëm në një konsensus formal”. “Mazhoranca, edhe pse përbën shumicën e cilësuar në kuptimin kushtetues, shpresoj të mos jetë një pengesë për përfshirje reale dhe konsensus mbi atë që duhet të reformohet”, shtoi ai. Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri theksoi gatishmërinë e mazhorancës që, me fillimin e punimeve të Kuvendit të ri të dalë nga zgjedhjet e 11 majit, palët politike të krijojnë një Komision të Posaçëm me përfshirjen e të gjithë aktorëve politikë me qëllim adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR si edhe trajtimin e të gjitha çështjeve të diskutuara. “Në tryezën e organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit në bashkëpunim me gjashtë organizata dhe mbështetjen e Ambasadës Britanike ku u diskutua mbi nevojën e një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse si edhe për integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri me fokus përmirësimin e legjislacionit për financimin e partive politike, përdorimin e platformave digjitale, rolin e mediave dhe integritetin e kandidatëve për deputet”, informoi ai. Disa nga çështjet kryesore të trajtuara gjatë tryezës ishin arritjet dhe sfidat në hetimin dhe ndëshkimin e krimeve zgjedhore; përdorimi i boshllëqeve ligjore për shpërdorimin e burimeve publike gjatë fushatave; roli i medias dhe përdorimi etik i platformave digjitale në diskursin politik; integriteti i kandidatëve, dekriminalizimi dhe legjislacioni për partitë politike; demokracia e brendshme dhe integriteti i partive politike; financimi i partive dhe transparenca në financat politike; barazia gjinore dhe akses i barabartë në financim zgjedhor. 1 nga 17

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›