E Martë, 3 Nëntor 2026

18 muaj autonomi spitalore, Koçiu: Rezultate për rritjen e cilësisë së shërbimit dhe kujdesit për pacientët

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në takim që zhvilloi bashkë me 10 koordinatorët turq dhe drejtuesit e QSUT, si edhe të spitaleve rajonale në Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Vlorë, diskutoi mbi hapat konkretë të Autonomisë Spitalore.

Koçiu tha se, Autonomia Spitalore është një reformë që sot nuk është më thjesht ide në letër, por realitet me rezultatet e para në terren për rritjen e cilësisë së shërbimit dhe kujdesit për pacientët.

“Në vetëm 18 muaj, në këto 5 spitale të para nga QSUT, spitalet rajonale në Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Vlorë janë krijuar premisat për më shumë liri në menaxhimin e të ardhurave dhe vendimmarrje të pavarur mbi protokollet e trajtimit gjithçka në funksion të një kujdesi më cilësor për pacientin”, tha ministrja.

Koçiu vuri në dukje se, “këto 5 spitale ndoqën rrugëtimin e suksesshëm të Spitalit Memorial të Fierit, ku tashmë flitet për një Autonomi Spitalore me rezultate dhe perfomancë pozitive konkrete. Duke fuqizuar mjekun kemi fuqizuar edhe shërbimin shëndetësor që u ofrohet pacientëve, kemi fuqizuar strukturat shëndetësore në vend, dhe pa diskutim mund të flasim më pas edhe për turizëm mjekësor, qendra ekselence ku zhvillohen shërbime klinike inovatore dhe shërbime gjithëpërfshirëse me standardet më të mira”.

Ministrja shprehu falënderim të veçantë për ekipin turk për mbështetjen në këtë proces transformues që siç tha ajo, “synon të kthejë spitalet tona publike në qendra vetëmenaxhuese të shërbimit shëndetësor”.

“I jemi mirënjohës koordinatorëve turq që janë atashuar tashmë pranë strukturave tona spitalore prej afro 3 muajsh dhe po koordinojnë bashkë me ekipet administrative të këtyre spitaleve si dhe me bordet menaxheriale për të kryer ato detyra dhe detyrime që rrjedhin nga një impelementim ashtu siç duhet i reformës së Autonomisë Spitalore”, u shpreh ministria Koçiu. /j.p/

1 nga 10

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›