Celibashi takon drejtuesen e Këshillit të Europës në Tiranë: Partneritet për standarde më të larta zgjedhore

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, priti sot në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kryesuesen e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, ambasadoren Giulia Re.
Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes KQZ-së dhe Këshillit të Europës, me fokus në forcimin e standardeve zgjedhore dhe rritjen e integritetit institucional.
Në një shënim të bërë në rrjetet sociale, Celibashi u shpreh se “Kënaqësi të mikprisja sot në KQZ Shqipëri, Kryesuesen e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Ambasadoren Giulia Re. Gjatë takimit, zhvilluam një bashkëbisedim frytshëm mbi ecurinë e projekteve tona të përbashkëta, të cilat synojnë forcimin e standardeve zgjedhore dhe integritetit institucional.”
Palët vlerësuan bashkëpunimin ekzistues dhe ndanë të njëjtin vullnet për intensifikimin e kontakteve dhe thellimin e asistencës teknike, me synim adresimin e sfidave të ardhshme në administrimin zgjedhor.
Në fokus të diskutimeve ishte gjithashtu rëndësia e rritjes së transparencës dhe besimit të publikut në proceset zgjedhore, përmes zbatimit të praktikave më të mira ndërkombëtare dhe forcimit të kapaciteteve institucionale.
Celibashi theksoi se ky bashkëpunim është një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të institucioneve demokratike në vend, duke siguruar që proceset zgjedhore të zhvillohen me standarde të larta dhe me besueshmëri për qytetarët.
/rtsh.al/