E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Çeno: Hera e parë që republikanët hedhin më shumë para se demokratët, donatorët janë meritë e Trump

Enri Çeno, Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Demokratike, ka folur mbi zgjedhjet e mesmandatit që po zhvillohen në SHBA.

Ai ka komentuar rritjen e investimeve dhe donacioneve në politikën amerikane, duke theksuar se kjo lidhet me vëmendjen gjithnjë e më të madhe që qytetarët po i kushtojnë zhvillimeve politike dhe ndikimit të tyre në jetën e përditshme.

Ai u ndal edhe te ndryshimi i raportit të financimeve mes republikanëve dhe demokratëve, duke veçuar kontributin e Elon Musk që është më i larti, prej 446 milionë dollarësh.

“Nëse shikon pamjet e diagramit, ishte në rritje, sepse rritja nuk është shkaktuar nga inflacioni këtu, por është rritja e investimeve dhe donacioneve në politikë. Kjo ka ndodhur për arsye se politika ka marrë një vëmendje të shtuar tek qytetarët amerikanë, sepse politika, duan apo s’duan, ndikon në mënyrën e jetesës dhe në gjithçka që familjet amerikane dhe qytetari amerikan përjetojnë në Shtetet e Bashkuara.

Nëse shikojmë edhe donatorët kryesorë, ku kryesohet nga Elon Musk, është hera e parë që republikanët janë sipër demokratëve. Ajo ka qenë një fushë ku demokratët kanë hedhur më shumë para në fushata, pothuajse në të gjitha zgjedhjet, dhe kjo ka ndryshuar. Epërsia e republikanëve vjen pasi Elon Musk ka dhuruar katërfishin e shumës së George Soros”, tha ai.

Çeno është ndalur te arsyet që i shtyjnë miliarderët dhe sipërmarrësit e mëdhenj amerikanë të mbështesin Partinë Republikane dhe Donald Trumpin, sic janë interesat ekonomike, ulja e taksave, politikat për sigurinë kufitare dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale.

“Këta donatorë, miliarderët e mëdhenj të Shteteve të Bashkuara, sigurisht që kërkojnë një qeveri ku politikat kryesore të jenë ulja e taksave. Ulja e taksave është arritur në këtë mandat nga administrata e Trumpit dhe politikat e tjera, të cilat janë mbështetur kryesisht nga Elon Musk, por edhe nga donatorë të tjerë të republikanëve, ku kanë qenë siguria dhe garancia e kufirit, lufta ndaj emigracionit dhe një politikë e jashtme që ka shtyrë përpara pikërisht konceptin e “Amerika e para”.

Nga krahu tjetër kemi këta filantropë, nëse mund t’i quajmë filantropë të majtë, të cilët kërkojnë tërësisht politika të tjera. George Soros e njohim mirë edhe në Shqipëri, për mënyrën se si vepron dhe si operon në politikë nëpërmjet politikanëve, të cilëve u ka dhënë donacione. Pikërisht këto politika të Donald Trumpit dhe administratës së tij kanë ndikuar edhe në numrin e donatorëve. Elon Musk shpenzoi 446 milionë dollarë. Ai është shprehur publikisht për arsyet pse po e mbështet Trumpin. Nuk është vetëm ulja e taksave, e cila është e rëndësishme për korporatat e mëdha amerikane, por edhe për qytetarët”, shtoi Çeno.

Sipas Enri Çenos, afrimi i njerëzve të pasur me pushtetin dhe përfitimet që mund të vijnë prej kësaj marrëdhënieje mund të krijojnë pakënaqësi te shtresat e shoqërisë.

“Dhe këtu qëndron rreziku i madh i Donald Trumpit, sepse këta njerëz duan të jenë pranë pushtetit, duan të përfitojnë në këmbim të parave. Është domethënëse fjalia e Elon Musk, i cili, kur u pyet se kush është njeriu më i fuqishëm në botë, duke qenë se ai është më i pasuri, tha: “Nuk jam unë, janë dy politikanë”, sepse ata kanë pushtet. Njerëzit e pasur gjithmonë duan të jenë pranë njerëzve me pushtet. Tani këtu qëndron dilema e madhe: si i menaxhojnë demokracitë e shëndetshme këtë fenomen? Ato janë gjithmonë në luftë me këtë lloj mënyre dhe me këtë lloj pranie. Nuk po flasim domosdoshmërisht për korrupsion, por për ulje taksash dhe lehtësira fiskale, të cilat nuk i kanë të tjerët”, tha Çeno.

Lajme të Sugjeruara

Dyshohet se u sulmua nga ariu, humb jetën 53-vjeçari në Bulqizë

Dyshohet se u sulmua nga ariu, humb jetën 53-vjeçari në Bulqizë

Plagoset me armën e shërbimit një ushtar në Bazën Ajrore të Kuçovës, transportohet drejt Traumës

Plagoset me armën e shërbimit një ushtar në Bazën Ajrore të Kuçovës, transportohet drejt Traumës

“Dy vitet e fundit kemi dalë me humbje”, fermerët e Maliqit kërkojnë treg për prodhimet

“Dy vitet e fundit kemi dalë me humbje”, fermerët e Maliqit kërkojnë treg për prodhimet

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›