E Diel, 1 Nëntor 2026

Central fotovoltaik me kapacitet të instaluar prej 95 MW në Kavajë

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për ndërtimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse në fshatin Rrakull, Kavajë, nga shoqëria “SELECT ENERGY” sh.p.k.

Centrali fotovoltaik do të ketë kapacitet të instaluar prej 95 MW dhe pritet të vihet në punë brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit. Afati i operimit të tij do të jetë 49 vjet.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore do të ushtrojnë mbikëqyrje periodike tremujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit të centralit, për të verifikuar cilësinë e punimeve dhe përputhshmërinë me dokumentacionin e projektit.

Shoqëria “SELECT ENERGY” ka detyrimin të raportojë periodikisht ecurinë e ndërtimit, të respektojë kushtet e lejeve dhe autorizimeve paraprake mjedisore, të dorëzojë sigurimin e kontratës në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, si dhe t’i japë falas ministrisë përgjegjëse për energjinë 2% të prodhimit vjetor të energjisë elektrike ose vlerën monetare të saj.

Një pjesë e prodhimit të centralit mund t’i shitet furnizuesit publik sipas legjislacionit në fuqi.

Projekti nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›