Priten reshje intensive, AKMC apel strukturave vendore për gatishmëri dhe parandalim

TIRANË, 28 janar /ATSh/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) u bën thirrje strukturave vendore për gatishmëri maksimale, pasi intensiteti i reshjeve gjatë pasdites së sotme dhe gjatë ditës së enjte pritet të jetë i lartë.
Sipas njoftimit për medie nga AKMC, bazuar në informacionet e Institutit të Gjeoshkencave dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme priten reshje në disa qarqe të vendit, lokalisht intensive dhe të shoqëruara me shtrëngata.
“Kërkohet rritje e vëmendjes dhe gatishmërisë nga strukturat e Mbrojtjes Civile dhe institucionet përgjegjëse në nivel vendor dhe qendror, për marrjen e masave parandaluese. Bashkitë në zonat me risk më të lartë të forcojnë gatishmërinë operacionale dhe të ndjekin në mënyrë të vazhdueshme situatën në terren”, njofton AKMC.
“Prefekturat të përcjellin informacionin pranë bashkive dhe të raportojnë në kohë çdo situatë pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile”, përfundon njoftimi.
Instituti i Gjeoshkencave njoftoi se qarqet Gjirokastër dhe Vlorë pritet të kenë intensitetin më të lartë të reshjeve në orët në vijim.
“Sot pasdite (e mërkurë, dt. 28) dhe nesër (e enjte, dt. 29), në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive, ndërsa në qarqet Shkodër dhe Korçë priten reshje mesatare deri lokalisht intensive. Në qarqet e tjera reshjet priten mesatare. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata.
Në veri, lindje dhe juglindje, në lartësitë mbi 900 metra nga niveli i detit, reshjet do të jenë në formë dëbore. Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve mund të krijojnë probleme të ndryshme, si rënie gurësh dhe inertesh, si dhe vërshime uji në zonat urbane të lokalizuara, në varësi të sistemit të kanalizimeve, në qarqet Shkodër, Kukës, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.”
TEMPERATURAT
Nesër (e enjte, dt. 29), temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 9 / 14° Celsius
në zonat e ulëta: 5 / 12° Celsius
në zonat malore: 2 / 8° Celsius
ERA
Sot pasdite (e mërkurë, dt. 28), era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet dhe zonat malore deri shumë e fortë. Nesër (e enjte, dt. 29) era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare.
/a.f/r.e/