Çerekfinalet e Kupës përcaktohen me short

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Kanë përfunduar sot ndeshjet e fazës 1/8 të Kupës së Shqipërisë 2025-2026, duke përcaktuar tetë skuadrat që vazhdojnë rrugëtimin drejt trofeut dhe sigurojnë kualifikimin në fazën çerekfinale.
Tirana, Dinamo City, Partizani, Bylis, Teuta, Vllaznia, Egnatia dhe AF Elbasani janë ekipet e kualifikuara për në çerekfinalet e Kupës.
Në bazë të rregullores së aktivitetit, janë ndarë edhe vazot për shortin e fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.
Në Vazon 1 bëjnë pjesë Egnatia, Vllaznia, Partizani dhe Dinamo City. Në Vazon 2 janë AF Elbasani, Teuta, Bylis dhe Tirana.
Çiftet çerekfinaliste do të përcaktohen përmes një shorti të lirë mes tetë skuadrave të kualifikuara. Ndeshjet e kësaj faze do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, me takimet e para që do të luhen në fushën e ekipeve të pozicionuara në Vazon 2.
Në ditët në vijim do të bëhet e ditur data dhe ora e hedhjes së shortit për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.