Çfarë kanë të përbashkët viti 2016 dhe 2024 në luftën kundër korrupsionit?

Këtë javë organizata “Transparency International” publikoi indeksin e perceptimit të korrupsionit për vitin 2024, ku Shqipëria u rendit e 80-ta mes 180 shtete.
Konkretisht u vlerësua me 42 pikë nga 100 të mundshmet apo 5 pikë më shumë, se një vit më parë. Ky është vlersimi më i lartë i marrë ndonjëherë.
Viti me vlerësimin më të mirë është 2016 me 39 pikë. Por çfarë kanë të përbashkët këto dy vite, ku perceptimi qytetar është se po luftohet fenomeni që po gërryen ekonominë dhe xhepat e shqiptarëve?
“Përgjatë viteve ky index ka patur luhatje, herë me rritje e herë me ulje. Rritja e vlersimit është domethënëse në vitin që lamë pas. Por e përbashkëta e dy viteve lidhet me reformën e drejtësi. Në 2016 patëm miratimin në Kuvend të reformës, e cila rriti perceptimin se ky fenomen do të luftohet. Ndërsa viti 2024 na tregoi aksione dhe rezultate konkrete të SPAK, ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë. Në çdo rast rritja e vlersimit i atribuohet rezultateve të Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit”, tha Redi Ametllari nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim që bashkëpunon me Transparency International.
Gjatë një interviste në emisionin E-ZONE në Vizion Plus, Ametllari tha se përmirsimi i renditjes së Shqipërisë është për tu vlersuar. Por sërish renditja tregon se korrupsioni mbetet një shqetësim madhor.
“Nuk duhet ta konsiderojmë si arritje vetëm zbulimin e rasteve korruptive. Një shtet konsiderohet i fortë në rast se arrin të parandalojë këtë fenomen. Nëse do të ndjekim paratë, do të kuptojmë fare mirë se ku është i shtrirë ky fenomen. Aty ku janë paratë më të mëdha fenomeni është më prezent. Janë tenderat publik si dhe lejet e ndërtimit”, tha Ametllari në Vizon Plus.
Sa i përket renditjes së Shqipërisë në luftën kundër këtij fenomeni, Shipëria në rajon lë pas Maqedoninë e Verit dhe Serbinë. Ndërkohë që në vend të parë në rajon është Mali i Zi me 46 pikë, më pas vjen Kosova me 44 pikë nga 100 të mundshmet.
/vizionplus.tv