Çipa: Jemi pranë një armëpushimi, por jo paqeje afatgjatë

Në emisionin “3D” në RTSH 1 HD, me gazetarin Alban Dudushi konsulenti dhe eksperti i politikës së jashtme, Akri Çipa, analizoi situatën e luftës në Ukrainë dhe diskutoi mbi planin e paqes që po negociohet mes palëve.
Çipa theksoi se plani fillestar për paqen përmbante 28 pika, por sot është reduktuar në 18 pika, pasi iu dha mundësia Ukrainës dhe vendeve europiane të jepnin inputet e tyre.
Megjithatë, sipas tij, Rusia nuk ka interes për paqe të qëndrueshme.
“Unë e mendoj që Rusia nuk dëshiron paqe me Ukrainën,” – u shpreh Çipa.
Ai shtoi se edhe nëse Ukraina do të pranonte një marrëveshje paqeje nën presion amerikan, zbatimi i saj në terren do të ishte i pamundur:
“Jo të gjitha këto territore kontrollohen nga Rusia, një pjesë e tyre do të kërkohet zhvendosje e popullsisë,” – tha ai.
Sipas Çipës, zgjidhja politike më e mundshme nuk është një paqe e plotë, por një “ngrirje” e territoreve të pushtuara, gjë që nuk përputhet me të drejtën ndërkombëtare:
“Mendoj se zgjedhja politike do të jetë një ‘ngrirje’ e këtyre territoreve sesa një zgjidhje që do të jetë efektivisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.”
Duke përmbyllur analizën, eksperti theksoi se ndonëse palët mund të jenë pranë një armëpushimi, paqja afatgjatë mbetet ende shumë larg:
“Besoj se jemi afër një armëpushimi, por duke u nisur nga këto kushte, një paqe afatgjatë jemi ende shumë larg, duke u nisur nga qëndrimet që ka vetë Rusia.”
/rtsh.al/