E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria prezanton ofertën turistike në Beograd

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Në Panairin “Wine Vision” në Beograd, në stendën e përbashkët me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, Shqipëria prezanton ofertën e saj turistike, nga destinacionet natyrore te thesarët e trashëgimisë kulturore dhe mjeshtëria artizanale.

Në tryezat e punës u shkëmbyen përvoja artizanale mes tre vendeve, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe trashëgimisë jomateriale.

Ndërkohë, Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore solli energjinë dhe ritmin e kulturës sonë, duke e bërë prezantimin e Shqipërisë edhe më të veçantë.

Agjencia Kombëtare e Turizmit në një postim në rrjetet sociale theksoi se “ky panair është një mundësi e mirë jo vetëm për promovimin e kantinave shqiptare, por edhe për të zgjeruar bashkëpunimin rajonal drejt tregjeve ndërkombëtare”.

Gjatë panairit, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare e Turizmit, Zana Çela zhvilloi takime me Marija Labović, drejtoreshë e Organizatës Kombëtare të Turizmit dhe zv.ministren e Turizmit të Serbisë, Višnja Rakić.

Në bazë të protokollit të bashkëpunimit, diskutimi u përqendrua mbi promovimin e ofertave të përbashkëta, sidomos për tregjet e largëta si Kina dhe Amerika, si dhe për organizimin e eventeve.

Të shumta ishin mediet të cilat shfaqën interes për zhvillimin e turizmit shqiptar gjatë dy viteve të fundit.

1 nga 9

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›