Çitaku: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së i papranueshëm, kërkojmë drejtësi, jo privilegje - ATSH -
PRISHTINË, 5 nëntor /ATSH/ Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka kundërshtuar sot aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke e cilësuar atë të padrejtë dhe të papranueshëm.
“Sot bëhen gjashtë vjet nga shkuarja në Hagë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Gjashtë vjet larg familjeve, lirisë dhe vendit për të cilin dhanë gjithçka”, ka shkruar ajo.
Sipas Çitakut, aktgjykimi i shkallës së parë, me gjithsej 81 vjet burgim, bie ndesh me provat dhe standardet e një gjykimi të drejtë.
“Aktgjykimi i shkallës së parë, me gjithsej 81 vjet burgim, është për ta thellësisht i padrejtë, ndërsa për ne krejtësisht i papranueshëm. E kundërshtojmë fuqishëm, sepse bie ndesh me provat, me standardet e një gjykimi të drejtë dhe me të vërtetën historike të luftës sonë çlirimtare”, ka theksuar Çitaku.
Ajo ka vlerësuar se ky proces gjyqësor nuk ka të bëjë vetëm me 4 ish-udhëheqësit e UÇK-së, por edhe me historinë e luftës çlirimtare të Kosovës.
“Në këtë proces nuk janë vënë në pikëpyetje vetëm katër çlirimtarë. Është vënë në pikëpyetje vetë historia e UÇK-së dhe rruga e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë”, ka deklaruar ajo.
Çitaku ka bërë thirrje për angazhim të përbashkët shtetëror, përtej dallimeve partiake, në hartimin e Strategjisë Shtetërore për procesin e apelit.
Sipas saj, kjo strategji duhet të përfshijë forcimin e mbrojtjes juridike, sigurimin e mbështetjes financiare dhe intensifikimin e angazhimit diplomatik.
“Angazhimi i përbashkët shtetëror, përtej dallimeve partiake, për hartimin e Strategjisë Shtetërore për procesin e apelit, forcimin e mbrojtjes juridike, sigurimin e mbështetjes së nevojshme financiare dhe intensifikimin e angazhimit diplomatik, është në funksion të kësaj mbrojtjeje”, ka shkruar ajo.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së ka bërë të ditur se po punohet edhe për plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, me qëllim krijimin e një mbështetjeje më të qëndrueshme juridike për ish-krerët e UÇK-së.
“Nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë drejtësi! Dhe nuk do të lejojmë që një aktgjykim ta shtrembërojë historinë e një populli që luftoi për liri”, ka theksuar Çitaku.
Ajo e ka përmbyllur reagimin me një mesazh mbështetës për ish-udhëheqësit e UÇK-së.
“Çlirimtarë, ju mbahuni të fortë! Ne nuk do t’ju lëmë kurrë vetëm! As sot. As nesër. Asnjëherë”, ka përfunduar Çitaku. /KosovaPress/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
