Shkrepa: Pallati i dëmtuar nga shpërthimi i gazit në Elbasan duhet të shembet - ATSH -
TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Drejtoresha e Institutit të Ndërtimit, Persida Shkrepa deklaroi sot, pas inspektimit në pallatin e dëmtuar nga shpërthimi i gazit në Elbasan, se objekti ka pësuar dëmtime të rënda dhe duhet të shembet.
Në një prononcim për mediet, Shkrepa theksoi se pallati, i ndërtuar në vitet ’70, ka pësuar dëmtime të konsiderueshme si pasojë e shpërthimit të gazit dhe zjarrit që pasoi.
Sipas saj, objekti është i pabanueshëm dhe duhet të merren masa për shembjen e tij.
Shkrepa bëri të ditur se edhe hyrja e qytetarëve në banesa në seksionin që nuk është dëmtuar duhet të kryhet nën shoqërimin e forcave zjarrfikëse, për të garantuar sigurinë e banorëve.
Një tjetër masë e nevojshme, sipas saj, është sigurimi i objekteve që ndodhen përreth pallatit të dëmtuar, në një rreze prej 30 metrash, për të shmangur rreziqet e mundshme gjatë ndërhyrjes.
Ditën e djeshme kati i tretë i një pallati në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan mori flakë si pasojë e shpërthimit të gazit, Pas disa orësh kërkimesh intensive, nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile dhe Zjarrfikësit, u gjet, rreth orës 00:40, trupi i pajetë i pronarit të banesës ku ra zjarri, shtetasit H. I., 69 vjeç. Si pasojë, humbi jetën në vendngjarje edhe shtetasja H. B., 82 vjeçe.
Gjithashtu, u dëmtuan 10 banorë në të njëjtin pallat, të cilët morën asistencë mjekësore dhe u larguan nga ambientet e spitalit, si dhe pati dëme të shumta materiale.
/k.s/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
