Clint Eastwood tërhiqet nga regjia në moshën 96-vjeçare

HOLLIVUD, 1 qershor /ATSH/ Djali i aktorit dhe regjisorit legjendar Clint Eastwood, Kyle Eastwood, ka konfirmuar se babai i tij është tërhequr zyrtarisht nga regjia e filmave, duke i dhënë fund një karriere të jashtëzakonshme që ka zgjatur më shumë se gjashtë dekada.
Lajmi u bë publik pak ditë pas 96-vjetorit të Eastwood, një prej figurave më të kompletuara të kinemasë amerikane. Në një intervistë për mediet, Kyle Eastwood, muzikant i njohur i xhazit dhe bashkëpunëtor në disa prej filmave të të atit, deklaroi se regjisori tashmë është pensionuar.
“Ai është në pension tani. Kam qenë me fat që kam punuar me të në kaq shumë filma. Ishte një përvojë e mrekullueshme për mua”, u shpreh Kyle.
Clint Eastwood konsiderohet një nga emrat më të rëndësishëm në historinë e Hollivudit, si para ashtu edhe pas kamerës. Ai u bë i famshëm fillimisht me rolet në filmat western. Më pas Eastwood ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme si regjisor, duke realizuar vepra të vlerësuara nga kritika dhe publiku.
Gjatë karrierës së tij si regjisor, Eastwood fitoi katër çmime Oscar, mes tyre dy për filmin dhe regjinë më të mirë tek “Unforgiven” dhe për dramën “Million Dollar Baby”. Ai ka sjellë realizime të shkëlqyera gjithashtu si regjizor me filma si “Mystic River”, “Gran Torino” dhe “American Sniper”.
Filmi i tij më i fundit si regjisor ishte Juror #2, i cili u konsiderua nga shumë kritikë si një përmbyllje dinjitoze e karrierës së tij pas kamerës.
Edhe pse Eastwood nuk do të rikthehet më në karrigen e regjisorit, trashëgimia e tij mbetet ndër më të rëndësishmet në historinë e kinemasë amerikane.