E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimet e naftës, Berisha: Monologu i Ramës si përrallat e Nastradinit! Mashtroi qytetarët për bordin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar përmes një videomesazhi ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për mashtrime në lidhje me çmimet e naftës dhe rolin e Bordit të Transparencës.

Berisha kërkoi uljen e taksës mbi karburantet, ndërsa kritikoi edhe deklaratat e Ramës për investimet e huaja, duke theksuar mungesën e investitorëve të rinj në vend.

“Mashtrimet në monologun e së dielës të Edin Ramës janë bërë si përrallat e Nastradinit. Sot, ai kishte përzgjedhur të fliste për naftën dhe për të mashtruar qytetarët se, bordi nuk ka asnjë lidhje me çmimet, ndërkohë që bordi i tij dje njoftoi rritjen e çmimit, nga 203 lekë që kishte njoftuar më parë në 215 lekë, pas një letre publike që i bënë përfaqësuesit e kompanive të naftës, duke dëshmuar se ai bord është në mbrojtje të kompanive dhe jo të qytetarëve.

Sërish, theksoj se, themeli i çmimit stratosferik të naftës në Shqipëri qëndron taksën qeveritare të Edi Ramës mbi naftën 1.1 euro. Ndaj dhe ulja e saj duhet të jetë kërkesë e mbarë qytetarëve shqiptarë.

Edi Rama në monologun e tij foli për investimet e huaja, për një konferencë me mijëra pjesëmarrës, në të cilat në të vërtetë janë dhe mungestarët e mëdhenj në Shqipëri. Unë dua t’i informoj shqiptarët se, gjatë këtyre 12 viteve, të vetmet investime të mëdha në Shqipëri kanë qenë investimet e kontraktuara, që të gjitha nga PD”, u shpreh Berisha.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›