Çmimi Nobel në Kimi 2025 i jepet tre shkencëtarëve për zhvillimin e strukturave metalo-organike

Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave ka ndarë Çmimin Nobel në Kimi për vitin 2025 për zhvillimin e strukturave metalo-organike (MOF), një prej risive më premtuese në shkencën e materialeve.
Tre kimistët e nderuar me çmimin janë, Susumu Kitagawa, Universiteti i Kiotos, Japoni, Richard Robson, Universiteti i Melburnit, Australi, Omar M. Yaghi, Universiteti i Kalifornisë, Berkeley, SHBA.
Laureatët janë vlerësuar për krijimin e një forme të re të arkitekturës molekulare, e cila përbëhet nga rrjete të ndërlikuara që përfshijnë jone metalike të lidhura me molekula organike të gjata. Këto struktura kristalore poroze të njohura si korniza metalo-organike (MOF), kanë hapësira të mëdha të brendshme që mund të përdoren për ruajtjen, kapjen apo përçimin e substancave të ndryshme.
MOF-të janë tashmë në qendër të kërkimeve për kapjen e dioksidit të karbonit nga atmosfera, mbledhjen e ujit nga ajri në zona të thata, ruajtjen e gazrave, si dhe nxitjen e reaksioneve kimike me efikasitet të lartë.
Sipas Komitetit Nobel, puna e Kitagawa, Robson dhe Yaghi-t kanë krijuar baza të reja për zhvillimin e materialeve inteligjente dhe teknologjive të gjelbra, duke hapur rrugën për zgjidhje të qëndrueshme ndaj sfidave globale si ndryshimet klimatike dhe mungesa e ujit të pijshëm.
/rtsh.al/