Raporti i Entit Rregullator të Ujit, Lubonja: Furnizimi është rritur mesatarisht në 17 orë

Në vitin 2024, furnizimi me ujë në Shqipëri është rritur mesatarisht me një orë, duke kapur shifrën e 17 orëve.
Megjithatë sipas raportit të Entit Rregullator të Ujit, që u shqyrtua në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, norma e arkëtimit ka pësuar rënie në shifra minimale krahasuar me vitin 2023.
“Norma e arkëtimit për 2024 ka një rënie shumë të lehtë. Kohëzgjatja e furnizimit me ujë raportohet 17,3 orë në ditë, me një përmirësim me një orë në ditë. Mbulimi i furnizimit më ujë është në nivelin 77,2% dhe është përmirësuar me 1,9% krahasuar me vitin 2023”, u shpreh kryetarja e ERRU, Gerta Lubonja.
Sipas opozitës problem mbetet vonesa në dixhitalizim dhe rritja e numrit të punonjësve.
“Ka një mungesë të transparencës dhe vonesë të dixhitalizimit të plotë. ERRU vetë pranon se saktësia dhe besueshmëria e të dhënave mbetet problem. 8 rekomandime që ende nuk janë përmbushur nga detyrat e lëna nga Kuvendi për 2024. Reforma e rajonizimit ende e papërfunduar dhe me ndikim të pabarabartë. Ankesat e konsumatorëve mbeten të përsëritura dhe pa zgjidhje strukturore”, u shpreh deputeti i PD-së, Blendi Himçi.
Në fund të mbledhjes, anëtarët e komisionit kanë miratuar unanimisht projekt rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë të Entit Rregullator të Ujit për vitin 2024.
/RTSH/