Colturi e treta në Semmering

TIRANË, 28 dhjetor /ATSH/ Lara Colturi zuri sot vendin e tretë në garën e sllallomit për Kupën e Botës në Semmering të Austrisë. Koha e zbritjes së dytë ishte 54 sekonda e 6 të dhjetat, ndërsa pas dy zbritjeve u shënua totali 1:49.39.
Në vendin e parë u rendit skiatorja amerikane Mikaela Shiffrin (1:48.82), ndërsa vendin e dytë e ka zënë zvicerania Camille Rast (1:48.91).
Colturi bëri një lëshim të parë të shkëlqyer në ndalesën e radhës të Kupës së Botës për Skitë Alpine. Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë e mbylli në vendin e dytë lëshimin e parë në disiplinën e Sllallomit.
Me kohën 54 sekonda e 79 të qindtat, 19-vjeçarja ishte vetëm 0.09 të qindtat pas zviceranes Camille Rast, e cila doli e para.
Sllallomi është disiplina e saj e preferuar dhe 19-vjeçarja ka bërë një garë perfekte në lëshimin e parë në Semmering të Austrisë.
Ditën e djeshme Colturi, në garën e Sllallomit Gjigant, e mbylli lëshimin e parë në vendin e tretë, me kohën 57 sekonda e 28 të qindtat, ndërsa lëshimin e dytë nuk mundi ta mbyllte për shkak të një gabimi që në nisje të garës.
Gjatë këtij viti skiatorja italiane që garon nën flamurin kuqezi është ngjitur në podium në garat në Levi, Gurgl dhe Copper Mount.
Ky është podiumi i katërt i saj gjatë 2025.
