E Hënë, 2 Nëntor 2026

Conference League, Vllaznia përmbys golin olimpik të Malishevës

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Vllaznia fitoi me përmbysje sot me Malishevën në sfidën e vlefshme për turin e parë të Conference League, duke hedhur një hap para drejt kalimit të kësaj faze.

Takimi i luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” në orën 20:00 nisi në mënyrën më të mirë për miqtë nga Malisheva, kur në minutën e 3-të Xhylani shënoi një gol olimpik, direkt nga goditja e këndit.

Vllaznia e mori veten pak nga pak, duke shtuar sulmet dhe duke gjetur barazimin në minutën e 36-të me Qaton.

Në minutën e 55-të Malisheva mbeti me 10 futbollistë, pas daljes me të kuq të Skovgard, si lojtari i fundit. Një minutë më pas debutuesi Musta realizoi golin e dytë për Vllazninë direkt nga goditja e dënimit, në hyrje të zonës së miqve, duke përmbysur rezultatin e ndeshjes. Pavarësisht rasteve të krijuara rezultati mbeti i pandryshuar.

Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 15 korrik, në orën 16:30, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku do të vendoset skuadra që do të avancojë në raundin e dytë të UEFA Conference League.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›