Kumbaro: Banjat termale të Bënjës plot me turistë, vijon puna për përmirësimin e infrastrukturës

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Banjat termale të Bënjës në Përmet janë një nga destinacionet më të frekuentuara turistike, duke mirëpritur çdo ditë vizitorë vendas dhe të huaj që zgjedhin të kalojnë çaste qetësie mes ujërave termale, natyrës së paprekur dhe peizazheve unike të Kanionit të Langaricës.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, njëkohësisht drejtuese politike e qarkut, bëri të ditur sot se paralelisht me fluksin në rritje të turistëve, po vijojnë edhe investimet për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve në zonën e Bënjës.
Sipas saj, ndërhyrjet synojnë ta bëjnë këtë destinacion edhe më mikpritës dhe më cilësor për vizitorët, duke rritur standardet e ofertës turistike dhe duke forcuar pozicionin e Bënjës si një prej atraksioneve më të rëndësishme natyrore të vendit.
“Bënja e bukur plot me vizitorë! Banjat termale të Bënjës çdo ditë po mirëpresin turistë të shumtë që zgjedhin të kalojnë çaste qetësie mes ujërave termale, natyrës së mrekullueshme dhe peizazheve unike të Kanionit të Langaricës ndërkohë që puna vazhdon, investimet dhe ndërhyrjet për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve në zonën e Bënjës po ecin përpara, me synimin që ky destinacion të jetë gjithnjë e më mikpritës dhe më cilësor për çdo visitor. Ejani në Përmet”, shkruan Kumbaro.
Burimet termale të Bënjës, me temperaturë që varion nga 26 deri në 32 gradë Celsius, ofrojnë një kombinim unik të natyrës, historisë dhe aventurës.
Vizitorët kanë mundësi të eksplorojnë edhe Kanionin e Lëngaricës dhe Urën e Katiut, monument kulture që pasuron trashëgiminë historike dhe turistike të zonës.
/m.q/r.e/