Çuan në falimentim 7 fasoneri për të shmangur tatimet, 3 të arrestuar

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Policia e Elbasanit ka ekzekutuar masat e sigurisë për 4 shtetas, të cilët dyshohet se çuan me dashje në falimentim, 7 fasoneri, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.
Njëri nga të akuzuarit, shtetas italian, u kap në PKK Rinas, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria.
Gjithashtu është vënë sekuestro konservative mbi 7 subjektet dhe 12 llogari bankare të tyre.
Policia njoftoi sot se, në kuadër të operacionit “Bankrupt”, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë, ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Elbasanit, dhënë më datë 2 qershor, për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin A. K., 40 vjeç, i cili u kap nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë; shtetasin italian G. L., 60 vjeç, i cili u kap në PKK Rinas, në dalje të Shqipërisë; shtetasen Z. K., 27 vjeçe, të tre me detyrë administratorë subjektesh; caktimin e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasen E. S., 31 vjeçe, me profesion ekonomiste, të katërt për veprat penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Falimentimi i provokuar”, “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Fshehja e të ardhurave” dhe vënien e sekuestros preventive mbi 7 subjekte (fasoneri) dhe 12 llogari bankare të tyre.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë bashkëpunuar për çuarjen në gjendje falimenti, 7 fasoneri, për të shmangur taksat dhe tatimet.
Policia bën të ditur se, vijojnë hetime për të identifikuar dhe nxjerrë para përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme. /j.p/