E Martë, 3 Nëntor 2026

“Hospitality Albania”, Kumbaro: Koncepte të reja të menaxhimit të aseteve publike

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro mori pjesë sot në fazën e dytë të konkursit “Hospitality Albania”, ku u prezantuan përpara një jurie ndërkombëtare projekt-idetë arkitekturore për rimëkëmbjen dhe modernizimin e rezidencave qeveritare.

Në fjalën e saj, Kumbaro theksoi se “falë konkurseve jo vetëm tërheqim dijen dhe me ekspertizën më të mirë të arkitekturës, por edhe nxisin energjinë kreative brenda vendit, për të ruajtur trashëgiminë përmes koncepteve të reja të menaxhimit të aseteve publike”.

Ministrja Kumbaro shprehu falënderimet për  bashkëpunimin mes agjencive të zhvillimit, Koorporatën Shqiptare për Investime dhe AKPT për organizimin e këtyre konkurseve.

Ministrja Kumbaro theksoi se “në vitin 2014, atëherë në një tjetër detyrë, bashkë me kryeministrin, Edi Rama, i dhamë një vëmendje të veçantë atyre që i quajtëm vendet e kujtesës, duke filluar nga dokumentet, ku në vitet 2016 hapëm gjithë dosjet në periudhën e diktaturës, për të prodhuar një tjetër qasje në raport me kujtesën, me historinë tonë 50- vjeçare të diktaturës hapëm shumë nga vendet që jo vetëm ishin misterioze dhe të frikshme për 50 vjet, por mbetën të mbyllura dhe për 25 vite pasi diktatura ra. Kam këtu parasysh Bunk Art, që është destinacion në Tiranë, Shtëpia e Gjetheve që është një nga pasaportat më të rëndësishme të kujtesës historike, por edhe të turizmit historik. Janë vende që flasin dhe që dëshmojnë nganjëherë edhe më mirë se subjektivizmi i dëshmitarëve të gjallë”.

Nuk e kemi luksin, vijoi Kumbaro, në këtë Shqipërinë e vogël, t’i mbajmë të mbyllura ose në rrënoja, apo aq më keq t’i mbajmë keq dhe të papërdorura, vende të cilat na i la trashëgim ajo periudhë e hidhur e historisë tonë.

Sipas saj, nuk është zgjuarsi ta mohosh atë që të ka ndodhur, por të dish ta përballësh dhe ta rikthesh në vlerë.

“Vende të cilat janë sot vende arti dhe kujtese, vende dokumentimi dhe kujtese dhe edukimi njëkohësisht, vende kujtese dhe mikpritjeje gjithashtu. Por edhe vende që gjenerojnë ekonomi dhe ku tjetër në atë që është sot, industria më e gjallë, më interesante dhe padyshim më e suksesshmja në rrugën për zhvillim, industria e turizmit. Ose ndryshe industria e mikpritjes. Vila 31 me Fondacionin Art Explora, njëkohësisht Vila 30, njëkohësisht muze dhe vend mikpritjeje janë sot fondacione turistike në Tiranë, por edhe mënyra më e mire për t’i folur një brezi që diktatura i duket gjithmonë e më e largët, por që na duhet ta përkthejmë sot për të mos e harruar, në kodet e komunikimit të brezit të ri dhe brezave që do vijnë”, nënvizoi Kumbaro.

Gjithashtu, shtoi ajo, për t’i folur me një kartëvizitë ndryshe dhe shumë vizitorëve të huaj që vetëm vitin që shkoi arritën numrin 12 milionë vizitorë.

“Ndërkohë që 4 muajt e parë të këtij viti janë 7% më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Është një mënyrë për të komunikuar, por gjithashtu një mënyrë për të gjeneruar dhe zhvilluar ekonomi. Në këtë kuptim, duam të prezantojmë dhe rijetësojmë Shqipërinë që ishte, Shqipërinë që është, por sidomos Shqipërinë që po bëhet”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro tha se “sot kemi Vlorën dhe Velipojën, me atë që ne i quajmë shtëpitë e pritjes, por po të futemi në histori, janë copëza dëshmie të atij gjysmë shekulli, falë këtyre aktiviteteve, falë kësaj energjie dhe padyshim do të vijojnë dhe me objekte të tjera”.

“Mezi pres të zhvillohet i njëjti objekt edhe në Gjirokastër”, përfundoi Kumbaro.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›