E Diel, 1 Nëntor 2026

DAMASK – Siria dërgon delegacionin në Moskë mes tensioneve me kurdët

DAMASK, 23 dhjetor /ATSH-DPA/- Tensionet po rriten në Siri midis forcave kurde dhe qeverisë së përkohshme në Damask, ndërsa një delegacion i qeverisë siriane mbërriti sot në kryeqytetin rus, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve SANA.

Ministri i Jashtëm Asaad al-Shaibani dhe ministri i Mbrojtjes Murhaf Abu Qasra zhvilluan bisedime me zyrtarë rusë mbi ato që u përshkruan – si çështje me interes të ndërsjellë.

Sipas burimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, bisedimet trajtuan gjithashtu marrëveshjen për integrimin e Forcave Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët në institucionet shtetërore siriane.

Al-Shaibani diskutoi dje të njëjtën çështje me homologun e tij turk.

Burimet thanë se vizita në Moskë kishte për qëllim të nënvizonte atë që Damasku e shihte si dështim të SDF-së për të zbatuar marrëveshjen e arritur në mars.

Gjatë luftës civile siriane, forcat kurde morën kontrollin e zonave të mëdha në Sirinë veriore, ku ata krijuan një vetë-administrim.

Krahu i tyre i armatosur, SDF, luftoi së bashku me një koalicion ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja kundër grupit xhihadist Shteti Islamik (IS).

Marrëveshja e marsit parashikon integrimin e institucioneve civile dhe ushtarake në verilindje të Sirisë në sistemin shtetëror, duke i dhënë fund administrimit autonom.

Ende nuk janë ndërmarrë hapa konkretë, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për vonesë të zbatimit te marrëveshjes.

Damasku thotë se afati për zbatim përfundon në fund të vitit.

Vetë-administrimi kurd ka miratuar një interpretim më fleksibël, duke thënë se marrëveshja përcakton një afat kohor të përgjithshëm në vend të një afati detyrues.

Rusia, e cila mbështeti ish-qeverinë e Bashar al-Assad gjatë luftës civile, vazhdon të mbajë baza ushtarake në Siri, përfshirë në verilindje.

Disa takime janë zhvilluar midis zyrtarëve rusë dhe sirianë që nga rënia e al-Assad në fund të vitit të kaluar.

Kurdët, një nga pakicat më të mëdha të Sirisë, u përballën me diskriminim nën sundimin e familjes al-Assad dhe tani kanë frikë nga një kthim në politikat e mëparshme.

Turqia e konsideron milicinë kurde të YPG-se (Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (Yekîneyên Parastina Gel), një forcë e madhe e armatosur kurde në Siri, që drejton Forcat Demokratike Siriane (SDF) të mbështetur nga SHBA-të, si një degë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) të ndaluar dhe e klasifikon atë si një organizatë terroriste, duke ndërlikuar dinamikën rajonale. //a.i/.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›