E Hënë, 2 Nëntor 2026

DANIMARKË – Dronë mbi bazat ushtarake para samitit të BE-së në Kopenhagë

KOPENHAGË, 28 shtator /ATSH – DPA/ – Ushtria daneze njoftoi sot se gjatë natës janë vërejtur sërish dronë mbi bazat ushtarake të vendit, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Sipas medieve lokale, incidentet nuk shkaktuan mbyllje të hapësirës ajrore mbi aeroportet daneze.

Ngjarjet ndodhën pak ditë para samitit të liderëve të Bashkimit Evropian në Kopenhagë, që do të zhvillohet të mërkurën dhe të enjten, ku pritet të diskutohen mbrojtja e infrastrukturës kritike dhe forcimi i gatishmërisë mbrojtëse evropiane.

Danimarka është në gjendje alarmi pas një serie incidentesh me dronë gjatë javës së kaluar.

Aeroporti i Kopenhagës u mbyll për disa orë të hënën e kaluar, ndërsa aeroporte më të vogla u prekën dy ditë më vonë.

Të paktën një dron u pa dje  mbi bazën më të madhe ushtarake të vendit.

Qeveria daneze e ka cilësuar situatën si një “sulm hibrid”, ndërsa hetuesit dyshojnë për “një aktor professional” që synon të përhapë pasiguri në një vend anëtar të NATO-s.

Rusia ka mohuar çdo përfshirje, përmes një deklarate të enjten nga ambasada e saj në Danimarkë.

Ministria gjermane e Mbrojtjes bëri të ditur se Danimarka ka kërkuar ndihmë nga disa vende për të garantuar sigurinë e samitit të BE-së, për shkak të “numrit të lartë të dronëve të paidentifikuar” pranë infrastrukturave civile dhe ushtarake.

Gjermania do të ndihmojë duke vendosur sisteme kundër dronëve për mbrojtje në takimin e nivelit të lartë. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›