TEL AVIV – Partnerët izraelitë të ekstremit të djathtë ushtrojnë presion ndaj Netanyahut përpara bisedimeve me Trump

TEL AVIV, 28 shtator /ATSH-DPA/- Partnerët e koalicionit të ekstremit të djathtë dhe përfaqësuesit e kolonëve po e nxisin kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu të aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor dhe të vazhdojë luftën në Gaza – për të eleminuar totalisht Hamasin.
Presioni vjen përpara takimit midis Netanyahut dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump të planifikuar nesër në Uashington.
Trump tha së fundmi se nuk do ta lejonte Izraelin të aneksonte Bregun Perëndimor, një zonë që palestinezët shpresojnë të jetë pjesë e një shteti të ardhshëm.
“Trump pritet t’i paraqesë Netanyahut një plan me 21 pika për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës”, tha “Times of Israel”.
Kjo thuhet se përfshin lirimin e menjëhershëm të pengjeve të mbetura në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë dhe tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës.
Hamasi nuk do të luajë asnjë rol në Rripin e Gazës, por Izraeli gjithashtu nuk do të lejohet të aneksojë zonën. Në vend të kësaj, do të ketë një qeveri të përkohshme.
Një rrugë drejt një shteti të ardhshëm palestinez si rezultat i negociatave të paqes nën ndërmjetësimin e SHBA-së thuhet gjithashtu se po propozohet, megjithëse Netanyahu e ka kundërshtuar me forcë këtë.
Netanyahu mbështetet te partnerët e tij të koalicionit të ekstremit të djathtë për të qëndruar në pushtet.
Qeveria e tij vazhdon të zgjerojë vendbanimet në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.
Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor në vitin 1967, ku tani jetojnë më shumë se 700,000 kolonë izraelitë midis rreth 3 milionë palestinezëve. //a.i/