DANIMARKË – Paketë e re ushtarake prej 672 milionë dollarësh për Ukrainën

KOPENHAGË, 30 qershor /ATSH/ – Danimarka ka njoftuar një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën me vlerë rreth 4,4 miliardë korona daneze, ose afërsisht 672 milionë dollarë, sipas Reuters.
Vendimi u bë publik sot nga qeveria daneze.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth 1,3 miliardë korona do të përdoren në kuadër të të ashtuquajturit “modeli danez”, i cili i mundëson Ukrainës të financojë blerjen e pajisjeve ushtarake përmes industrisë së saj vendase të mbrojtjes.
Pjesa tjetër e fondeve do të shkojë për furnizimin me municione për artilerinë me rreze të gjatë veprimi, duke forcuar më tej aftësitë mbrojtëse të Ukrainës.
Kjo është paketa e 30-të e ndihmës ushtarake që Danimarka i ofron Ukrainës që nga fillimi i luftës, duke konfirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Kopenhagës për Kievin.
Danimarka mbetet një nga vendet evropiane që ka kontribuar vazhdimisht me ndihmë ushtarake dhe financiare për Ukrainën, në bashkëpunim me aleatët perëndimorë./ /Ad.Ab./ a.jor.