Krijohet Inspektorati Qendror i Punës, miratohet struktura e re e institucionit

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Qendror të Punës (IQP), institucioni i ri që do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës në të gjithë territorin e vendit.
Sipas vendimit, Inspektorati Qendror i Punës krijohet si person juridik publik, buxhetor, me seli në Tiranë dhe në varësi të ministrit përgjegjës për punën.
Institucioni do të financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme.
Qeveria bën të ditur se misioni i IQP-së është garantimi i respektimit të kërkesave ligjore në fushën e punës përmes kontrollit, këshillimit, parandalimit, zbutjes së konflikteve dhe vendosjes së masave administrative, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Vendimi parashikon që Inspektorati të verifikojë zbatimin e dispozitave ligjore që lidhen me kushtet e punës, kohëzgjatjen e orarit të punës, pagat, sigurinë dhe shëndetin në punë, punësimin e të miturve dhe grave, si edhe çështje të tjera që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve.
Po ashtu, IQP do të ofrojë këshillim teknik për punëdhënësit dhe punëmarrësit mbi zbatimin e legjislacionit, si dhe do t’u raportojë autoriteteve përgjegjëse rastet e mangësive apo abuzimeve të evidentuara gjatë kontrolleve.
Struktura e re organizohet në dy nivele: një drejtori qendrore dhe pesë drejtori rajonale me seli në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë dhe Shkodër, të cilat do të mbulojnë të gjitha qarqet e vendit.
Në krye të institucionit do të jetë Kryeinspektori Qendror, i cili do të drejtojë veprimtarinë e IQP-së, do të koordinojë punën e strukturave rajonale dhe do të raportojë për aktivitetin inspektues pranë ministrit përgjegjës dhe Inspektorit të Përgjithshëm.
Vendimi parashikon gjithashtu se Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore do të riorganizohet në Inspektoratin Qendror të Punës. Procesi i ristrukturimit do të përfundojë brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, ndërsa deri në funksionimin e plotë të institucionit të ri, struktura ekzistuese do të vijojë aktivitetin sipas organizimit aktual.
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi shfuqizohet vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 295, datë 20 mars 2013, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore”.
/gj.m/r.e/