E Diel, 1 Nëntor 2026

DASH reagon ndaj deklaratave të Vuçiç për Ibrin: Normalizimi i marrëdhënieve, i domosdoshëm

PRISHTINË, 11 gusht/ATSH/ Departamenti amerikan i Shtetit reagoi lidhur me deklaratat për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, duke i thënë Radios Evropa e Lirë se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë prioritete të Shteteve të Bashkuara.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është pjesë e domosdoshme e këtij procesi”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 9 gusht se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.

Deklarata e tij nxiti reagime të ashpra nga zyrtarët në Kosovë dhe u pasua edhe nga një përplasje publike ndërmjet zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.

Komisioni Evropian rikujtoi gjithashtu se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të avancojnë në rrugën e tyre evropiane.

BE-ja komentoi edhe rrënimet e fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, me të cilat presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kishte lidhur deklaratën e tij për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.

“Sa i përket situatës në liqenin e Gazivodës/Ujmanit, ne tashmë kemi shprehur shqetësimet tona lidhur me rrënimet e fundit”, thuhet në përgjigje.

Sipas Komisionit Evropian, çdo masë zbatuese me pasoja të pakthyeshme duhet të respektojë procesin e rregullt ligjor.

“Personave të prekur duhet t’u jepet mundësi efektive për të kërkuar mbrojtje ligjore dhe, kur është e zbatueshme, mbrojtje të përkohshme gjyqësore para se masa të zbatohet”, thuhet në përgjigje. /rel/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›