E Diel, 1 Nëntor 2026

METEO – Korriku muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në SHBA

NJU JORK, 11 gusht /ATSH-DPA/ – Korriku i vitit 2026 është regjistruar si muaji më i nxehtë në historinë e matjeve klimatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas autoritetit amerikan të të dhënave klimatike.

Temperatura mesatare në territorin kontinental të SHBA-së ishte rreth 25 gradë Celcius duke e bërë korrikun më të nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1895.

Sipas Qendrave Kombëtare për Informacionin Mjedisor (NCEI), temperatura mesatare ishte 1,8 gradë Celcius mbi mesataren e shekullit XX.

Rekordi i ri e tejkalon çdo muaj tjetër të regjistruar gjatë 132 viteve të të dhënave klimatike.

Të dhënat nuk përfshijnë Alaskën, Havain dhe territoret e tjera amerikane.

Temperatura shumë me të larta mbi normalen u regjistruan në pjesën më të madhe të Perëndimit të brendshëm, Jugperëndimit, Maleve Shkëmbore, fushave veriore dhe pjesës së sipërme të Miduest-it, si edhe në disa zona të bregdetit të Gjirit të Meksikës dhe juglindjes së vendit.

Pavarësisht se reshjet në përgjithësi ishin nën mesataren, disa rajone u përballën me reshje të dendura dhe përmbytje të menjëhershme, veçanërisht në zonën kodrinore të Teksasit dhe në lindje të Nju Jorkut.

Këto të dhëna janë një tjetër tregues i intensifikimit të ekstremeve të temperaturave dhe motit në SHBA. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›