E Diel, 1 Nëntor 2026

DAVOS – Trump themelon zyrtarisht Bordin e Paqes, firmos edhe Vjosa Osmani

DAVOS, 22 janar /ATSH-AFP-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump nënshkroi sot në Davos kartën themeluese të Bordit të Paqes, pak çaste pasi siguroi se ky organ do të punonte “në koordinim” me Kombet e Bashkuara.

E pranishme ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila hodhi firmën e saj krah presidentit Trump.

“Urime, presidenti Trump, karta tani është në fuqi dhe Bordi i Paqes tani është një organizatë zyrtare ndërkombëtare”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt në ceremoni.

“Ky bord ka mundësinë të jetë një nga organet më të rëndësishme të krijuara ndonjëherë”, tha ai.

Vetë presidenti amerikan kryeson bordin.

Vendet që kontribuojnë një miliard dollarë mund të sigurojnë anëtarësim të përhershëm, ndërsa të tjerët do të shërbejnë për mandate të kufizuara.

Pak nga aleatët perëndimorë të Uashingtonit e kanë pranuar ftesën për t’u bashkuar me bordin, me Hungarinë e vetme anëtare të Bashkimit Evropian që është nënshkruar deri më tani.

Shqipëria, Argjentina, Bjellorusia, Egjipti, Izraeli, Maroku, Pakistani, Katari, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Vietnami janë ndër vendet që kanë rënë dakord të marrin pjesë.

Dy nga rivalët më të mëdhenj të Uashingtonit, Rusia dhe Kina, u ftuan gjithashtu, por ende nuk kanë marrë angazhime të forta.

Trump fillimisht e konceptoi bordin si një organ për të mbikëqyrur rindërtimin e Rripit të Gazës pas luftës dyvjeçare midis Izraelit dhe grupit militant Hamas.

Që atëherë ai ka sugjeruar që organi mund të zgjerohet për të trajtuar konfliktet dhe krizat në mbarë botën, dhe kur u pyet në Davos të mërkurën nëse mund të zëvendësojë Kombet e Bashkuara, ai tha se “mundet”.

Sipas REL, në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë:

  • Arabia Saudite — ministri i Jashtëm Faisal bin Farhan Al‑Saud
  • Argjentina — presidenti Javier Milei
  • Armenia — kryeministri Nikol Pashinyan
  • Azerbajxhani — presidenti Ilham Aliyev
  • Bahrejni — sheiku Isa bin Salman Al Khalifa
  • Bullgaria — kryeministri Rosen Zhelyazkov
  • Emiratet e Bashkuara Arabe — kryetari i Autoritetit të Çështjeve Ekzekutive Khaldoon Al Mubarak
  • Hungaria — kryeministri Viktor Orban
  • Indonezia — presidenti Prabowo Subianto
  • Jordania — zëvendëskryeministri Ayman Safadi
  • Katari — kryeministri Sheiku Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani
  • Kazakistani — presidenti Kassym‑Jomart Tokayev
  • Kosova — presidentja Vjosa Osmani
  • Mongolia — kryeministri Gombojavyn Zandanshatar
  • Maroku — ministri i Jashtëm Nasser Bourita
  • Pakistani — kryeministri Shehbaz Sharif
  • Paraguai — presidenti Santiago Pena
  • Turqia — ministri i Jashtëm Hakan Fidan
  • Uzbekistani — presidenti Shavkat Miromonovich Mirziyoyev./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›