DAVOS – Von der Leyen: BE do të japë përgjigje të bashkuar dhe proporcionale ndaj kërcënimit të Trumpit për tarifa

DAVOS, 20 janar /ATSH-AA/ – Bashkimi Evropian do të japë përgjigje “të palëkundur, të bashkuar dhe proporcionale” ndaj kërcënimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për tarifa të reja për shkak të Grenlandës, tha sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Von der Leyen tha se tarifat shtesë të propozuara nga SHBA-ja janë “një gabim”, duke shtuar se BE-ja dhe SHBA-ja ranë dakord për një marrëveshje tregtare korrikun e kaluar.
“Në politikë, si në biznes, një marrëveshje është një marrëveshje. Dhe kur miqtë shtrëngojnë duart, kjo duhet të thotë diçka”, tha ajo duke shtuar se evropianët i konsiderojnë amerikanët “jo vetëm aleatë tanë, por edhe miq tanë” shtoi ajo.
Komentet e saj erdhën pasi Trumpi tha se Washingtoni do të vendoste tarifa prej 10 për qind për Mbretërinë e Bashkuar, Danimarkën, Norvegjinë, Suedinë, Francën, Gjermaninë, Holandën dhe Finlandën deri më 1 shkurt, me tarifat që do të rriten në 25 për qind deri më 1 qershor, për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj kontrollit amerikan të Grenlandës.
Von der Leyen tha se “zhytja e marrëdhënieve transatlantike në një spirale në rënie do të ndihmonte vetëm kundërshtarët për të cilët që të dy jemi kaq të përkushtuar t’i mbajmë larg peizazhit strategjik”. Ajo nënvizoi solidaritetin e plotë të BE-së me Grenlandën dhe Danimarkën, duke këmbëngulur se “sovraniteti dhe integriteti i territorit janë të panegociueshëm”.
Presidentja e KE-së tha se blloku po përgatit një paketë për të forcuar sigurinë e Arktikut, përfshirë një rritje të investimeve evropiane në Grenlandë për të mbështetur ekonominë dhe infrastrukturën lokale si dhe bashkëpunim më të ngushtë me SHBA-në dhe partnerë të tjerë.
Von der Leyen shtoi se BE-ja planifikon të thellojë partneritetet e sigurisë me vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Norvegjinë dhe Islandën ndërsa po përgatit strategji të re evropiane të sigurisë që do të publikohet më vonë këtë vit, së bashku me një strategji të përmirësuar për Arktikun. /os/