E Diel, 1 Nëntor 2026

DAVOS – Nielsen: Nuk ka gjasa që SHBA-ja të përdorë forcë ushtarake për të pushtuar Groenlandën

DAVOS, 20 janar /ATSH-DPA/- Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen tha sot se, ndërsa nuk beson se SHBA-ja do të përdorë forcën ushtarake për të pushtuar territorin e Arktikut, ishulli po përgatitet për çdo skenar të mundshëm.

Duke folur në një konferencë për shtyp, Nielsen tha se nuk kishte gjasa që Uashingtoni të përdorte forcën ushtarake, siç është paralajmëruar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili ka intensifikuar retorikën e tij në javët e fundit në lidhje me qëllimin e tij për të aneksuar Groenlandën për arsye sigurie kombëtare.

“Por ne duhet të jemi të përgatitur për çdo gjë”, tha kryeministri i Groenlandës.

Groenlanda është një territor autonom që i përket Danimarkës.

Me një popullsi prej më pak se 57 000 banorësh, Groenlanda ka thënë vazhdimisht se nuk dëshiron të bëhet pjesë e SHBA-së.

Aleatët e NATO-s thanë gjithashtu se Groenlanda nuk kishte nevojë të pushtohej nga SHBA-ja për të mbrojtur Arktikun nga kërcënimet, ndërsa Trump ka thënë se Rusia dhe Kina po e synojnë ishullin e pasur me minerale.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen vuri në dukje se Danimarka po kërcënohej nga aleati i saj më i ngushtë, pavarësisht se nuk kishte kërkuar kurrë telashe.

“Më e keqja mund të jetë ende përpara nesh”, tha ajo në parlament, duke shtuar se vlerat themelore si sovraniteti, identiteti, kufijtë dhe demokracia ishin të panegociueshme për Danimarkën.

Ajo u bëri thirrje aleatëve evropianë të luftonin kundër kërcënimit të fundit të Trump për të vendosur tarifa shtesë ndaj Danimarkës dhe një numri vendesh të tjera nëse Kopenhageni vazhdonte t’i rezistonte kërkesës së tij për t’ia dorëzuar Groenlandën.

“Evropa duhet të përgjigjet. Ne jemi të detyruar ta bëjmë këtë. Askush në Evropë nuk e dëshiron këtë, por është gjëja e duhur për t’u bërë”, tha Frederiksen.  //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›